Zoti të ka vënë aty ku Ai të do
21. Shtator E Mërkurë

“Është pikërisht për një kohë të tillë që ti ke arritur në pozitë mbretërore” Esteri 4:14 NLT

Historia e Esterit na mëson dy të vërteta të rëndësishme:

1) Ty të duhen mësues për të të drejtuar. Për shkak se ajo ishte e gatshme të dëgjonte Mordekain, Esteri zbuloi se thirrja e saj nuk ishte vetëm për të qenë mbretëreshë, por një çliruese e njerëzve të saj. Prandaj, kush është Mordekai yt? Kush të njeh aq mirë sa të të qartësojë dhe të pohojë thirrjen tënde në jetë? Kush të do mjaftueshëm sa të të sfidojë kur ti del nga rruga ose të të fuqizojë e të të inkurajojë kur do që të dorëzohesh dhe të ikësh? Aty ku kemi pika të dobëta, ne kemi nevojë për njerëz me shikim të mirë për të na folur në jetët tona. Jozueu dëgjoi Moisiun. Timoteu dëgjoi Palin. Ruthi dëgjoi Naomin. Kë po dëgjon ti?

2) Duhet të dish se je në vendin ku Zoti do që ti të jesh. Kushëriri i Esterit e sfidoi atë dhe i ndryshoi jetën duke i thënë: “Kush e di nëse është pikërisht për një kohë të tillë që ti ke arritur në  pozitë mbretërore?”. Esteri nuk u nis për t’u bërë mbretëreshë. Por kur ajo u bë, ajo kishte për të vendosur midis rehatisë së saj dhe thirrjes së saj. Është një zgjedhje që duhet ta bësh edhe ti. Ti thua: “Cila është thirrja ime?”. Ajo mund të përfshijë punën tënde, martesën tënde, detyrat e tua si prind, miqësitë e tua. MAjo mund të përfshijë lagjen ku jeton apo shërbesën tënde në kishë. Një gjë është e sigurt: kur Zoti të thërret, koha jote ka ardhur. Ti mund të tundohesh të mendosh se tani je thjesht duke bërë një vrimë në ujë ndërsa je duke pritur për ndonjë kohë tjetër ose një mundësi më të rëndësishme. Ti nuk zgjedh se kur të vjen koha; Zoti e bën këtë! Psalmisti ka thënë: “Ditët e mia janë në dorën tënde” (Psalmi 31:15 KJV).