Perëndia ka rrugë të ndryshme për të të çuar atje
26. korrik e diel
“Hapat e njeriut vijnë nga Zoti; si mund ta njohë, pra, njeriu rrugën e vet?” Fjalët e Urta 20:24
Marian dëshironte të bëhej një këngëtare koncertesh, një sfidë që ishte dyfish e vështirë për shkak të ngjyrës së lëkurës së saj. Megjithatë, nëna e saj kishte një besim të durueshëm te Perëndia. Marian më vonë tha: “Besimi i nënës sime e bëri atë të besonte se ajo mund të merrte atë që ishte e drejtë për të, nëse ishte e ndërgjegjshme në besimin e saj. Nëse kjo nuk ndodhte, ishte sepse Perëndia nuk e kishte konsideruar të drejtë për të. Ne u rritëm në këtë atmosferë besimi që ajo krijoi. Ne besonim si ajo, sepse donim të kishim të njëjtën strehë në kohë stuhie”.
Kur Marianit iu mohua pranimi në një konservator të famshëm muzike për shkak të racës së saj, nëna e saj tha se “dikush do të ngrihej” për ta ndihmuar të arrinte atë që shpresonte të bënte në konservator. Ai dikush erdhi disa javë më vonë. Një nga mësuesit më të shquar të zërit në Filadelfia, Giuseppe Boghetti, i hapi vend asaj që të bëhej një nga nxënësit e tij. Dhe Marian Anderson ishte në rrugën e saj për t’u bërë një nga këngëtaret më të njohura të shekullit të njëzetë.
Të dielën e Pashkëve, në vitin 1939, ajo këndoi për shtatëdhjetë e pesë mijë njerëz në Memorialin e Linkolnit dhe dha një interpretim që nuk do të harrohej kurrë nga ata që ishin të pranishëm. Solomoni tha këto dy gjëra për dorën udhëzuese të Perëndisë në jetën tonë: (1) “Hapat e njeriut vijnë nga Zoti; si mund ta njohë, pra, njeriu rrugën e vet?”. (2) “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:5–6).

