Mos ji një murmuritës (2)
30. qershor e hënë
“Bëni çdo gjë pa u ankuar” Filipianëve 2:14
Pali shkruan: “Bëni çdo gjë pa u ankuar dhe pa kundërshtime, që të jeni të paqortueshëm dhe të pastër, bij të Perëndisë pa të meta në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur, në mes të të cilit ju ndriçoni si pishtarë në botë, duke e mbajtur lart fjalën e jetës” (v. 14-15). Cili ishte qëndrimi mbi të cilin u përqëndrua Pali? Murmuritja! Cila ishte zgjidhja? Ai e ndau atë me besimtarët thesalonikas: “Për çdo gjë falënderoni, sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju” (1 Thesalonikasve 5:18).
Në vend që të kërkosh gjëra për të cilat mund të ankohesh, kërko gjëra për të cilat mund të jesh mirënjohës, sepse ato janë kudo përreth teje. Nëse murmuritja të vjen po aq lehtësisht sa edhe frymëmarrja, ja ku ke disa zona që ti duhet t’i kushtosh vëmendje: (1) Mos merr përsipër më shumë se sa mund të përballosh. Thuaji ‘po’ kërkesave për favore personale vetëm kur dëshiron ose ndjen se po të drejton Perëndia. Kjo do të të ndalojë të mbingarkohesh me punë dhe të mos kesh pakënaqësi ndaj përgjegjësive që të janë ngarkuar nga të tjerët.
(2) Kufizoje kohën tënde përreth njerëzve negativë. “Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira” (1 Korintasve 15:33). Mos u infekto! (3) Përqëndrohu tek nevojat e të tjerëve. “Duke shërbyer me dashuri si për Krishtin dhe jo si për njerëzit, duke ditur se gjithsecili, qoftë skllav apo i lirë, po të bëjë të mirën, do të marrë shpërblimin nga Zoti” (Efesianëve 6:7-8). Ajo që ti bën të ndodhë për të tjerët, Perëndia do ta bëjë të ndodhë për ty. Përveç këtyre tre strategjive për ngadhënjimin mbi të qënurit inatçor, lutu: “Atë, më çliro nga të qënurit inatçor. Zbuloje rrënjën që e shkakton atë dhe më jep guxim që të ndërmarr veprimet e nevojshme për ta mbajtur atë jashtë jetës sime. Në emër të Jezusit. Amen”.