Trego vlerësim për pastorin tënd
7. nëntor e premte

“Tashmë, vëllezër, ju lutemi të keni respekt për ata që mundohen midis jush, që janë në krye ndër ju në Zotin dhe që ju qortojnë” 1 Thesalonikasve 5:12

Pali i shkruan kishës në Thesali dhe thotë: “Tashmë, vëllezër, ju lutemi të keni respekt për ata që mundohen midis jush, që janë në krye ndër ju në Zotin dhe që ju qortojnë, edhe t'i vlerësoni shumë në dashuri për veprën e tyre. Jetoni në paqe midis jush” (vargjet 12-13).  

Merr në konsideratë këto statistika të shekullit të njëzetë e një: (1) Pesëdhjetë përqind e pastorëve ndihen aq të shkurajuar sa do ta linin shërbesën nëse do të mundnin, por nuk dinë asnjë mënyrë tjetër se si ta sigurojnë jetesën. (2) Pesëdhjetë përqind e shërbestarëve që fillojnë nuk zgjasin as pesë vite në shërbesë. (3) Vetëm një nga dhjetë shërbestarë del në pension si shërbestar. (4) Në Amerikë, më shumë se një mijë e shtatëqind pastorë e kanë lënë shërbesën çdo muaj të vitit 2011.

Ka shumë arsye pse pastorët e lënë shërbesën. Një arsye është mbështetja financiare e pamjaftueshme dhe stresi në familje. Pali flet për këtë: “Pleqtë që e drejtojnë mirë parësinë në kishë, le të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen me fjalë e me mësim. Sepse Shkrimi thotë: “Mos ia lidh gojën kaut që shin në lëmë” dhe: “Punëtori e ka hak mëditjen e tij” (1 Timoteut 5:17-18). Disa pastorë e lënë shërbesën sepse ata janë shënjestra e kritikave të shpeshta. Pali flet dhe për këtë: “Mos prano asnjë padi kundër një plaku, veçse kur ka dy ose tre dëshmitarë” (vargu 19). Prandaj, lutu për pastorin tënd dhe bëja të ditur vlerësimin tënd. Perëndia do të të bekojë për këtë.