Jezusi e mundi vdekjen për ty
5. prill e diel
“Ai nuk është këtu, sepse u ringjall, ashtu sikurse kishte thënë” Mateu 28:6
Një ditë, zemra jote do të rrahë për herë të fundit dhe mushkritë e tua do të marrin frymë për herë të fundit. Edhe po të mos kthehet Krishti, ti gjithsesi do të vdesësh. Psalmisti pyeti: “Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti i Sheolit?” (Psalmi 89:48). Të rinj e të vjetër, të mirë e të këqij, të pasur e të varfër; asnjë prej gjinive nuk do të kursehet; asnjë klasë nuk do të përjashtohet. “Nuk ka njeri që të ketë pushtet mbi frymën për ta përmbajtur apo të ketë pushtet mbi ditën e vdekjes” (Predikuesi 8:8). Gjenitë, të pasurit, të varfërit - askush nuk ia del mbanë të mos vdesë. Jul Cezari vdiq. Elvisi vdiq. John Kennedy vdiq. Princesha Diana vdiq. Ne të gjithë do të vdesim. Ne nuk do t'i shpëtojmë vdekjes. Kirurgu më i mirë mund ta përmirësojë jetën tënde, por nuk mund ta eliminojë vdekjen tënde.
Shkrimtari i letrës së Hebrenjve ishte i prerë kur shkoi: “Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë…” (Hebrenjve 9:27). Ushtrohu sa të duash. Ha vetëm ushqime të shëndetshme dhe mbushi grushtat plot me vitamina. Qëndro larg diellit, alkoolit dhe drogës. Bëj çmos për të qëndruar gjallë dhe prapëseprapë do të vdesësh. Vdekja duket si një rrugë pa krye derisa të lexojmë historinë e ringjalljes së Jezusit: “Ai nuk është këtu, sepse u ringjall sikurse kishte thënë…shkoni shpejt t’u thoni dishepujve të Tij…po shkon përpara jush në Galile; atje do ta shihni…Ato pra u larguan me të shpejtë…ta çojnë lajmin tek dishepujt e tij… Pastaj të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në atë mal që u kishte caktuar Jezusi dhe, kur e panë, e adhuruan” (Mateu 28:6-17). Sepse për fëmijën e shpenguar të Perëndisë, vdekja nuk është fundi por fillimi i një jete të lavdishme në qiell, që nuk ka fund.

