Perëndia mund ta kthejë mallkimin në bekim
9. tetor e premte
“Por Zoti, Perëndia yt, e ndërroi për ty mallkimin në bekim, sepse Zoti, Perëndia yt, të do” Ligji i Përtërirë 23:5
Pali u tha korintasve: “Prandaj nuk na lëshon zemra … Sepse trishtimi ynë … prodhon për ne (2 Korintasve 4:16-17). Jim Stovall e dëshmoi se kjo ishte e vërtetë. Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç, mjeku i tij i tha se po humbiste shikimin dhe se nuk kishte asgjë që mund të bëhej për ta rikthyer. Në vend që të hiqte dorë nga jeta, ai ndoqi studimet universitare dhe gjithashtu studioi privatisht me një sipërmarrës shumë të suksesshëm. Qëllimi i tij ishte të ishte vetë i përfshirë në biznes edhe nëse do të ishte i verbër, në mënyrë që të menaxhonte vetë karrierën dhe jetën e tij. Edhe pse ishte përgatitur për verbërinë, kur erdhi dita që ai nuk mund të shihte më, u ndje i shkatërruar.
Në librin e tij “Ti nuk duhet të jesh i verbër për të pare” (You Don’t Have to Be Blind to See), ai shkruan: “Gjithçka që doja të bëja ishte të rrija në dhomën e ndenjjes dhe të dëgjoja muzikë.” Por pastaj Jim u mbështet thellë në besimin e tij dhe siç thotë ai, “Perëndia m’i hapi sytë e brendshëm ndaj një ideje të re.” Ai hyri në një fushë jashtëzakonisht të pazakontë për një person të verbër — televizionin! Ai themeloi Rrjetin Televiziv Narrativ (Narrative Television Network) për të ndihmuar personat me dëmtim të shikimit. RTN shton më shumë “narracion përshkrues” në kolonat zanore, në mënyrë që dëgjuesit të mund ta përfytyrojnë një program ose film dhe ta shijojnë më plotësisht. RTN transmeton në mbi 20 milionë familje dhe, çuditërisht, rreth 60 për qind e audiencës mund të shohë. Për punën e tij, Jim mori nderimin më të lartë të televizionit, Çmimin Emmy, pas vetëm një sezoni transmetimi! Pra, fjala për ty sot është kjo: Perëndia mund ta bëjë problemin tënd “të veprojë për ty” dhe “ta kthejë një mallkim në bekim”.

