Ji një mbjellës
17. shtator e enjte
“Edhe ai që i jep farën mbjellësit dhe bukë për të ngrënë, ju dhëntë dhe e shumoftë farën tuaj, dhe i bëftë të rriten frytet e drejtësisë suaj.” 2 Korintasve 9:10
Tre të rinj u pajisën secili me nga tre kokrra misri nga një plak i mençur. Ai u tha të dilnin në botë dhe t’i përdornin kokrrat e misrit për t’i sjellë vetes fat të mirë. I riu i parë i hodhi tri kokrrat e misrit në një tas me supë dhe i hëngri. I dyti mendoi: “Mund të bëj më mirë se kaq” dhe i mbolli tri kokrrat e misrit. Brenda pak muajsh, ai kishte tri kërcellë misri. Mori kallinjtë nga kërcellët, i zjeu dhe pati mjaft misër për të ngrënë për tri vakte. I treti tha me vete: “Mund të bëj edhe më mirë se kaq!” Edhe ai i mbolli tri kokrrat e misrit. Por kur tre kërcellët e misrit dhanë prodhim, ai mori njërin nga kallinjtë dhe i rimbolli të gjitha farat e tij, kallirin e dytë ia dha një vajze të ëmbël, ndërsa të tretin e hëngri. Farat e rimbjella nga një kallir i vetëm i dhanë 200 kërcellë misri! Dhe farat e këtyre ai vazhdoi t’i rimbillte, duke lënë mënjanë vetëm minimumin e domosdoshëm për të ngrënë. Me kalimin e kohës, ai mbolli njëqind hektarë misër. Me pasurinë e tij, ai jo vetëm fitoi dorën e vajzës së ëmbël, por bleu edhe tokën që zotëronte i ati i saj. Dhe kurrë më nuk vuajti nga uria.
Këtu ka një parim të rëndësishëm biblik. Kujt ia siguron Perëndia farën? Mbjellësve. Kur e shumon Perëndia farën? Kur ajo mbillet në tokë të mirë për të përmbushur gjëra të mira. Prandaj, ji një mbjellës.

