Fitorja është një “punë e brendshme”
8. tetor e enjte

“Edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.” 2 Korintasve 4:16

Në vitin 1928, një studente e re infermierie, e lumtur dhe ambicioze, u diagnostikua me tuberkuloz. Në atë kohë, një diagnozë e tillë shpesh nënkuptonte një dënim me vdekje. Familja e saj e dërgoi në një sanatorium për disa muaj, me shpresën se do të shërohej. Por ajo ishte e destinuar të qëndronte në shtrat për njëzet e një vitet e ardhshme!

Shumë njerëz do të ishin dorëzuar, por jo Isobel Smith. Ajo iu afrua pragut të vdekjes në disa raste, por besimi i saj mbeti i fortë dhe ajo kurrë nuk reshti së ndjekuri artin e të jetuarit. Ajo lexonte me etje, shkruante letra, studionte gjeografi dhe u mësonte pacientëve të tjerë të lexonin dhe të shkruanin. Nga shtrati i saj, ajo studioi energjinë atomike me një pacient tjetër, një fizikan të ri, dhe organizoi një forum publik mbi këtë temë. Gjatë sëmundjes, ajo njohu një burrë të mirë e të butë, gjithashtu pacient në sanatorium. Ajo ëndërronte të martohej me të dhe të kishte një shtëpi të vogël “nën male”. Në momentet e saj më të errëta, kjo ëndërr e mbajti gjallë. Dhe në vitin 1948, ajo u martua. Më pas ajo shkroi një libër të quajtur “Ëish as I Might” (Sado që të dëshiroj), i cili u botua në vitin 1955. Libri ishte “për të gjitha gjërat e mira që jeta më ka sjellë” dhe i siguroi asaj mjaftueshëm honorare për të blerë strehën malore për të cilën kishte ëndërruar.

Një jetë tragjike? Aspak! Isobel Smith arriti gjithçka që kishte synuar, edhe pse shanset kundër saj ishin dërrmuese. Edhe kur ishte shtrirë në shtrat pa lëvizur, ajo kurrë nuk reshti së rrituri, së mësuari, së ëndërruari dhe së dhëni. “Edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.” Fitorja është një “punë e brendshme”.