Ji i ndjeshëm ndaj pranisë së Perëndisë
16. mars e hënë

“O Zot, të lutem, hap sytë e tij që të mund të shohë” 2 Mbretërve 6:17

“Të nesërmen shërbëtori i njeriut të Perëndisë u ngrit në mëngjes dhe doli; dhe ja, qyteti ishte rrethuar nga një ushtri me kuaj dhe kalorës. Atëherë shërbëtori i tij i tha: ‘Oh, ç'do të bëjmë, imzot?’. Ai u përgjigj: ‘Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta’. Pastaj Eliseu u lut dhe tha: ‘O Zot, të lutem, hap sytë e tij që të mund të shohë’. Atëherë Zoti ia hapi sytë të riut dhe ai pa; dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta” (shiko v. 15-17 NKJV). Si rrjedhojë, armiqtë e tyre u neutralizuan.

Po sikur kjo të bëhej edhe lutja jote? Po sikur çdo herë që do të sfidoheshe ose do të kishe një barrë, Perëndia të të hapte sytë shpirtërorë për të parë se edhe ti je i rrethuar nga fuqia dhe mbrojtja e Tij? Kjo u ndodhi dy ndjekësve të Jezusit që po ecnin në rrugën për në Emaus pas kryqëzimit. Një burrë i tretë iu bashkua atyre. Ishte Jezusi, duke ecur dhe duke folur me ta - por ata nuk e njohën Atë derisa Ai filloi të lutej. Dhe atëherë ata e kuptuan. Më pas ata thanë: “Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?” (Luka 24:32). Po sikur të ishe në rrugën për në Emaus, duke shkuar në punë, shkollë ose shtëpi — dhe Jezusi të ishte aty pranë teje? Po sikur të mund të bashkoheshe me “shoqërinë e zemrës që digjet” dhe ta përjetoje vërtet praninë e Tij? Ti mundesh. Thjesht zgjatu drejt Tij, njihe Atë dhe përgjigju Atij.