Rezistoji lakmisë
17. shkurt e martë
“Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin, por lakmia është krimbi brejtës i kockave” Fjalët e Urta 14:30
Disa njerëz janë shumë të pasigurt për të duartrokitur suksesin ose arritjet e një tjetri, qoftë ky një koleg pune, i afërm i largët, vëlla/motër, bashkëshort/e apo edhe një fëmijë. Ata mendojnë se duhet të kenë sukses të krahasueshëm, në mënyrë që të mos ndihen inferiorë. Nëse ata me të vërtetë mund të pretendojnë një arritje të ngjashme personale, atëherë nxitojnë ta përmendin atë. E vërteta është se dikush do të ketë gjithmonë më shumë sukses se ti dhe dikush do të ketë gjithmonë më pak. Duhet përpjekje e përditshme dhe e ndërgjegjshme për të luftuar pakënaqësinë dhe për të shijuar çdo nivel suksesi me të cilin të ka bekuar Perëndia.
Reklamat televizive dhe tabelat e reklamave në autostrada dhe madje edhe familja dhe miqtë me qëllime të mira dërgojnë mesazhin: ‘Të mungon diçka. Bli këtë, bli atë!”. Solomoni tha: “Më mirë pak me frikën e Zotit, se sa një thesar i madh me shqetësime” (Fjalët e Urta 15:16). Hebrenjve 13:5 thotë: “Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: ‘Nuk do të të lë, nuk do të të braktis’”. Nëse e gjen veten duke ndjerë nevojën për të konkurruar kur një kompliment i jepet një tjetri, dalloje dhe hiq dorë menjëherë nga fryma e pasigurisë që po përpiqet të të zërë në grackë. Fillo ta refuzosh këtë lloj sjelljeje duke iu përgjigjur në mënyrën e kundërt. Praktiko të qënurit mjaftueshëm i sigurt për të shijuar arritjet e dikujt tjetër. Do të të duhet ta "praktikosh" këtë, sepse ka shumë mundësi që të mos ‘ndihesh’ i sigurt në fillim. Thjesht bëje. Lejo që besimi yt të diktojë sjelljen tënde. Kur i bindesh Frymës dhe e lejon Atë të përcaktojë veprimet e tua, mishi do të dobësohet dhe në përfundimisht do t'i nënshtrohet kontrollit të Frymës.

