Nevoja për lidhje (2)
2. Tetor E Diel

“Të gjitha gjërat i kishin të përbashkëta” Veprat 4:32 NIV

Kur lexon historinë e kishës së Dhjatës së Re, priresh që të mahnitesh nga rritja e saj shpërthyese dhe mrekullitë e mëdha. Por ka një përbërës që nuk duhet anashkaluar: “Askush nuk thoshte se ç'kishte ishte e vet, por të gjitha gjërat i kishin të përbashkëta…Sepse midis tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse të gjithë ata që zotëronin ara ose shtëpi i shisnin dhe sillnin fitimin nga gjërat e shitura, dhe i vinin te këmbët e apostujve; pastaj secilit i jepej, sipas nevojës së tij” (vargjet 32-35 NIV). Ti thua: “Nëse do të kisha më shumë para do të isha i lumtur”. Mund të ndjehesh më i sigurt dhe të kesh më pak shqetësime, por nuk do të jesh domosdoshmërisht më i lumtur.

Në “Journal of Happiness Studies” (Revista e Studimeve Mbi Lumturinë), studiuesit panë se çfarë i dallonte njerëzit e lumtur nga ata më pak të lumtur. Një faktor i ndante gjithnjë këta dy grupe. Nuk ka të bëjë me sa para ke; nuk ka të bëj me shëndetin tënd, sigurinë, bukurinë, zgjuarsinë ose suksesin e karrierës. Ajo që i dallonte njerëzit e lumtur nga ata më pak të lumtur ishte prania e marrëdhënieve të pasura, të thella, që prodhonin lumturi jetë-ndryshuese dhe me kuptim. Kërkuesi social, Robert Putnam, shkruan: “Zbulimi më i zakonshëm dhe i thjeshtë nga gjysëm shekulli kërkime mbi kënaqësinë e jetës, jo vetëm në SHBA por në të gjithë botën, është se lumturia parashikohet më mirë nga gjerësia dhe thellësia e lidhjeve shoqërore të dikujt”. Por ti mund të njohësh shumë njerëz pa u njohur nga asnjëri prej tyre dhe të përfundosh i vetmuar. Këta njerëz në kishën e Dhjatës së Re e kishin kuptuar si duhet: arritja e nivelit më të lartë të lumturisë më të madhe arrihet duke ndarë me njëri-tjetrin shpirtërisht, emocionalisht, financiarisht dhe në marrëdhënie me njëri-tjetrin.