Duke pranuar dhe vlerësuar pamjen fizike
9. shkurt e hënë

“A do t'i thotë argjila atij që i jep formë: ‘Ç’po bën?’” Isaia 45:9

Isaia tha se Perëndia “më ka formuar që në bark të nënës që të jem shërbëtori i tij” (Isaia 49:5). Zoti e formësoi qëllimisht secilin prej nesh për shërbimin e Tij. Si mund të ankohemi atëherë se jemi shumë të shkurtër, shumë të gjatë, shumë të errët, shumë të çelët ose diçka tjetër që është e pandryshueshme? Fjala “shumë” nënkupton se diçka është përtej asaj që është e dëshirueshme ose më shumë se ajo që duhet të jetë. Si mund të jetë “shumë” diçka që Zoti e krijoi? Ajo që po themi në të vërtetë është se “kjo veçori nuk përputhet me standardin e bukurisë të përcaktuar nga shoqëria”, kështu që lejojmë që atributet tona jo-konformuese të na bëjnë të ndihemi të pasigurt dhe të na vjedhin vetëbesimin. Pastaj ndiejmë se zgjidhja jonë e vetme është të ndryshojmë tiparin e padëshirueshëm. Çfarë shuplake në fytyrën e Zotit. “Mjerë ai që i kundërvihet atij që e ka formuar, një fragment enësh balte me fragmente të tjera të enëve prej balte. A do t'i thotë argjila atij që i jep formë: ‘Ç’po bën?’, a do të thotë vepra jote: ‘Nuk ka duar?’…Kështu thotë Zoti…‘Përsa u përket gjërave të së ardhmes më bëni pyetje rreth bijve të mi dhe më jepni urdhëra rreth veprës së duarve të mia?’” (Isaia 45:9-11).

Ti do ta forcosh sigurinë tënde emocionale kur të bësh paqe me çdo aspekt të vetes. Me hirin dhe fuqizimin hyjnor të Perëndisë, duhet ta pranosh vërtet - jo thjesht t'i nënshtrohesh planit të Tij sovran. Kur e bën këtë, ti ndalon së krahasuari veten me të tjerët dhe së gjykuari veten si inferior apo superior. Vetëdija dhe shqetësimi për pamjen tënde të jashtme zhduken. Tani, ti e ke hapur rrugën që bukuria jote e vërtetë e brendshme të shkëlqejë. Është koha të përjetosh paqen trupore, duke e ditur se je projektuar për fatin tënd, je përshtatur për detyrat e tua dhe je i përsosur për qëllimin tënd.