Bëj kujdes me ato që sheh
6. dhjetor e shtunë

“Do të ec me zemër të pastër brenda shtëpisë sime. Nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe” Psalmi 101:2-3

Si adoleshente, Megan kthehej në shtëpi fiks në kohë për të parë telenovela për një orë para se të bënte detyrat. Asaj i pëlqente të arratisej në botën e televizorit dhe nuk e kuptonte se programet po nxisnin kureshtje seksuale brenda saj. Pas vitesh duke parë këto telenovela, këndvështrimi i saj për jetën ndryshoi. Ajo filloi të mendonte: “Marrëdhëniet nuk duhet të jenë të pastra. Në fakt, ato të papastrat duken më të bukura. Besnikëria nuk ka rëndësi, për sa kohë që je e lumtur”. Si studente universiteti, Megan e pati të thjeshtë t’i kalonte netët në shtretërit e të tjerëve. Më vonë, pas një martese të shkurtër që përfundoi në katastrofë për shkak të pabesisë së saj, ajo kërkoi ndihmë nga një terapist. Në fillim ishte e vështirë për terapistin që ta kuptonte se pse Megan merrej me marrëdhënie jashtëmartesore. Ajo kishte qënë një adoleshente shembullore në shtëpi, në kishë dhe në shkollë, për sa bëhej fjalë për sjelljen e saj në publik. Më në fund, terapisti e zbuloi burimin e tundimit që e shtynte Meganin të merrej me jetën e saj të fshehtë.  

Ajo që sheh në televizor dhe në internet bëhet pjesë e kujtimeve të tua. Ti po ruan imazhe ne mendjen tënde të cilat Satani do t’i përdorë kundër teje. Marrëdhënia e Davidit me Bathshebën filloi me një të parë të gabuar dhe përfundoi duke i sjellë tragjedi familjes së tij. Më vonë, Davidi shkroi: “Do të kujdesem të bëj një jetë të ndershme…Do të ec me zemër të pastër brenda shtëpisë sime. Nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe…nuk dua t'ia di për të keqen…Sytë e mi do të jenë mbi besnikët e vendit dhe do t'i mbaj afër vetes; ai që do të ecë me ndershmëri do të jetë shërbëtori im” (vargjet 2-4, 6).