Lumturia e shtatë
27. mars e premte
“Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë” Mateu 5:9
Fjala hebraike për "paqe" është shalom; i referohet një ndjenje mirëqenieje që prodhon qetësi dhe besim, madje edhe në një krizë. Është siguri në mes të pasigurisë dhe konfuzionit. Ata që kanë një besim të palëkundur, të patundur dhe të fortë si shkëmbi në Perëndinë janë ata që përjetojnë paqe të vërtetë zemre. Si e fitoni një paqe të tillë? Së pari, duhet ta dini se çfarë thotë Perëndia në Fjalën e Tij dhe ta besoni atë. Duhet ta bëni Fjalën e Zotit themelin e gjithçkaje që besoni dhe për rrjedhojë, të gjithçkaje që thoni dhe bëni. Duhet ta pranoni Zotin në Fjalën e Tij dhe t'ia dorëzoni vullnetin tuaj urdhërimeve dhe planit të Tij. Duhet t’i rrënjosni pritjet dhe shpresën tuaj në premtimet dhe dëshirat e Tij.
Paqja e vërtetë e zemrës ndërtohet gjithmonë mbi të vërtetën – e vërteta se kush është Perëndia, kush je "në Të" dhe si dëshiron Perëndia që të lidhesh me Të dhe me të tjerët. Të njohësh të vërtetën e Perëndisë do të thotë të përjetosh paqen e Perëndisë. Ndërsa kërkoni të sillni këtë lloj paqeje në zemrat e të tjerëve, ju po veproni si Ati juaj qiellor. Është dëshira e Perëndisë që ju të pajtoheni me Të dhe të përjetoni shpëtimin dhe paqen e vërtetë të zemrës. Mesazhi ynë është ky: “Pajtohu, pra, me Perëndinë dhe do të kesh siguri; kështu të kesh mirëqënie” (Jobi 22:21). Pali e shprehu kështu: “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1). Roli ynë përfundimtar si paqebërës nuk është thjesht të shohim burra dhe gra në paqe me njëri-tjetrin, por edhe në paqe me Perëndinë.

