Lumturia e tetë
28. mars e shtunë
“Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve” Mateu 5:10
Jezusi tha “Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve. Lum ju kur do t'ju shajnë dhe do t'ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej” (v. 10-12). Të përndiqesh për hir të drejtësisë do të thotë të jetosh siç jetoi Jezusi - me karakterin e Tij, motivet e Tij, bindjen e Tij, besimin e Tij tek Ati dhe pastërtinë e zemrës së Tij. Do të thotë të jesh paqebërës, të kesh uri dhe etje për atë që është e drejtë, t'i kthesh shpinën mëkatit dhe të jesh një burim mëshire. Nëse jeton në këtë mënyrë, do të përndiqesh ashtu siç u përndoq Jezusi. Nuk do të duhet të jesh konfrontues në atë që thua ose bën - vetë jeta jote do të jetë konfrontuese. Është kontrasti që do të sjellë konfrontim!
Jezusi tha të vërtetën, jetoi të vërtetën dhe ishte i gatshëm të vdiste për të vërtetën. Ai kurrë nuk kërkoi të fillonte një grindje, por Ai foli sa herë që e vërteta që tha, u sfidua. Dhe Ai premton se kur të fyhesh dhe të abuzohesh për të njëjtat arsye si Ai, nëse qëndron besnik, do të marrësh mbretërinë e qiellit. Me fjalë të tjera, do të kesh një shpërblim në qiell dhe do të të jepet autoritet shpirtëror në mbretërinë e qiellit. Ajo që mund të vuash këtu në tokë është vetëm refuzim, fyerje ose abuzim i përkohshëm. Ajo që fitoni në qiell do të jetë e përjetshme dhe e lavdishme. Bibla thotë: “Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne” (Romakëve 8:18).

