Perëndia mund të të shërojë (3)
4. tetor e diel

“Sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet” Galatasve 6:9

Shërimi mund të ndodhë në mënyra të ndryshme. Ndonjëherë Perëndia bën një mrekulli dhe e shëron dikë menjëherë. Herë të tjera, Ai e shëron një person gradualisht. Kur shohim Shkrimin dhe mrekullitë e shumta që Jezusi kreu, është e lehtë të mendojmë se Ai gjithmonë i shëronte njerëzit në të njëjtën mënyrë. Por, kur e shqyrtojmë më nga afër, shohim se në shumë raste Ai nuk bëri të njëjtën gjë dy herë. Për shembull, ja si i shëroi Ai të verbërit: (1) Te Mateu 9:29, Jezusi shëroi dy të verbër thjesht duke u prekur sytë. (2) Te Marku 10:52, Ai e shëroi të verbërin Bartime duke i folur, pa e prekur. (3) Te Marku 8:22–25, Ai vuri pështymë në sytë e një të verbëri dhe vuri duart mbi të dy herë, përpara se ai të shërohej plotësisht. Jezusi nuk ishte i kufizuar nga një metodë e vetme për të shëruar njerëzit — por Ai ishte gjithmonë i gatshëm t’i shëronte ata. Pavarësisht metodës, ata që merrnin shërimin gjithmonë tregonin besim në aftësinë e Tij për të shëruar dhe gatishmëri për të lejuar fuqinë e Tij të vepronte në favor të tyre. Dhe e njëjta gjë është e vërtetë edhe sot!

Nëse je lutur për shërim dhe asgjë nuk ndodhi menjëherë, kjo nuk do të thotë se besimi yt u dobësua. Gjithashtu, nuk do të thotë se Perëndia është i zemëruar me ty apo se Ai dëshiron që ti të vuash. Kjo thjesht do të thotë se është koha të falënderosh Perëndinë që po e merr Atë në Fjalën e Tij dhe të besosh se po bëhesh gradualisht më mirë, ditë pas dite: “me vurratat e tij ju u shëruat” (1 Pjetrit 2:24). Kjo do të thotë të besosh se ajo që tashmë është përmbushur në botën frymore, me kohën do të shfaqet edhe në botën fizike. Nga këndvështrimi i Perëndisë, shërimi yt është blerë dhe paguar.