Besoji besëlidhjes tënde me Perëndinë
30. gusht e diel
“Kush është ky filiste i parrethprerë?” 1 Samuelit 17:26
Katërmbëdhjetë breza përpara se Davidi të luftonte me Goliathin, Perëndia i tha Abrahamit: “Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë” (Zanafilla 12:3). Më vonë, Perëndia e zgjeroi këtë besëlidhje edhe për pasardhësit e Abrahamit dhe shtoi një kusht kyç: “Dhe do të rrethpriteni në mishin e prepucit tuaj; dhe kjo do të jetë një shenjë e besëlidhjes midis meje dhe jush” (Zanafilla 17:11). Mesa duket, askush në ushtrinë e Saulit, përfshirë vetë Saulin, nuk e kujtonte se kishin një besëlidhje me Perëndinë, gjë që e shtyu Davidin të pyeste: “Po kush është ky Filiste, i parrethprerë, që guxon të poshtërojë ushtrinë e Perëndisë të gjallë?” Davidi po pyeste: “Si mundet ky njeri, i cili nuk ka asnjë besëlidhje me Perëndinë, të mendojë qoftë edhe për të na mundur?”
Sa i fortë është besimi yt në besëlidhjen e Perëndisë për të bekuar, mbrojtur dhe begatuar ata që janë në marrëdhënie të drejtë me Të? Nëse vazhdon të ikësh nga gjigantët në jetën tënde, nuk do të shohësh kurrë shfaqjen e fuqisë së Perëndisë. Kur i beson premtimeve të Perëndisë, nuk do të tolerosh asnjë gjigant në jetën tënde. A e dije se ti je trashëgimtar i së njëjtës besëlidhje bekimi që Perëndia i dha Abrahamit? “Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit” (Galatasve 3:29). Davidi u mbështet në një besëlidhje mbrojtjeje që ishte katërmbëdhjetë breza e vjetër dhe që është ende e vlefshme sot.
Historia e Davidit dhe Goliathit përfaqëson betejat e shumta me të cilat përballemi rregullisht: e mira kundër së keqes, fuqia e Perëndisë kundër forcës njerëzore dhe besimi kundër frikës. Çfarëdo që të jetë situata, ne mund të pushojmë në Fjalën e Perëndisë: “Sepse ne që besuam hyjmë në prehje, siç tha ai” (Hebrenjve 4:3).

