Çdo ditë e jetës tënde është një dhuratë
8. janar e enjte

“Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë” Psalmi 90:12

Folësi motivues Denis Waitley përshkruan një përvojë që ndryshoi jetën e tij përgjithmonë. Ai po përpiqej të kapte një fluturim për të arritur diku për të dhënë një fjalim dhe po vraponte përmes terminalit të aeroportit. Ai arriti portën në momentin që agjenti po mbyllte derën. Denisi i shpjegoi dilemën e tij, por agjenti nuk e hapi derën. Aty mërzia e tij u kthye në zemërim. Ai doli nga zona e hipjes në aeroplan dhe e ktheu biletën tek sporteli i biletave për të paraqitur një ankesë dhe për të ricaktuar fluturimin e tij. Zemërimi i tij rritej ndërsa ai priti për më shumë se njëzet minuta në një rradhë, e cila zor se po lëvizte. Para se ai të kthehej tek sporteli i biletave, një njoftim në interfon i ndryshoi jetën, sepse ai kuptoi se duke e humbur atë fluturim, jeta e tij ishte shpëtuar. Fluturimi që humbi, Fluturimi 191, nga Chicago në Los Angeles, ishte përplasur në nisje pa të mbijetuar. Denisi nuk e paraqiti kurrë ankesën e tij. Ai gjithashtu nuk e ktheu biletën e tij të pavlefshme për Fluturimin 191. Ai e solli në shtëpi dhe e ngjiti në një tabelë njoftimesh në zyrën e tij. Pas asaj përvoje, sa herë që ndihej i acaruar apo i inatosur, ai thjesht shikonte biletën e Fluturimit 191. Ishte një kujtues i paharrueshëm se jeta e tij ishte një dhuratë, e cila nuk duhej nënvlerësuar.

Psalmisti shkroi: “Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë…kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje…Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë” (vargjet 10, 12).