Thelbi i udhëheqësisë
27. korrik e shtunë

“Por ju, tërë luftëtarët tuaj trima do të kaloni të armatosur para vëllezërve tuaj dhe do t’i ndihmoni” Jozueu 1:14, NIV

Për të qënë i denjë që të të ndjekin, të duhet më shumë se talenti dhe një titull. Thelbi i udhëheqësisë qëndron në dy gjëra. 1) Të shkuarit i pari! “Do të kaloni të armatosur para vëllezërve tuaj”. Kjo do të thotë se nëse Perëndia të ka thirrur për të drejtuar, duhet të ecësh me besim dhe të shkosh i pari. Kjo kërkon të besosh tek vetvetja dhe tek misioni yt. Arritja kërkon më shumë se të punuarit fort; kërkon të besosh gjënë e duhur. Perëndia i tha Jozueut: “Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh" (vargu 9, NIV). Nuk të duhen të gjitha përgjigjet përpara. Vetëbesimi yt vjen nga të diturit se Perëndia është me ty – dhe përpara teje.

2) Të marrësh të tjerët me vete. “Por ju, tërë luftëtarët tuaj trima do të kaloni të armatosur para vëllezërve tuaj dhe do t’i ndihmoni” (vargu 14, MSG). Dhe në rast se po mendon: “Sa gjatë duhet të vazhdoj të investoj tek ky njeri?”, përgjigja është “derisa Zoti t’u ketë dhënë pushim vëllezërve tuaj ashtu si juve, dhe ta kenë shtënë në dorë vendin që Zoti, Perëndia juaj, u jep atyre” (vargu 15, MSG). Shumë njerëz do të shërbejnë kur janë të detyruar dhe disa do të shërbejnë gjatë një krize. Por kur ke zemrën e një shërbëtori, ti nxit shërbimin tek të tjerët. Ti shikon nevojën, kap mundësinë dhe shërben duke ditur se Perëndia do të të shpërblejë. Atëherë shërbe me gaz (shiko Psalmi 100:2).

Ja si është puna: ti kualifikohesh për të shijuar privilegjet e udhëheqësisë vetëm kur je i gatshëm të shkosh i pari dhe të marrësh të tjerët me ty. Por ky nuk është fundi. Perëndia tha: “Atëherë mund të ktheheni për të pushtuar vendin që ju përket dhe që Moisiu, shërbëtor i Zotit, ju ka dhënë” (Jozueu 1:15, NIV).