Bindja: është çelësi yt drejt fitores dhe bekimit
18. shtator e premte

“Mendohuni mirë për sjelljen tuaj! Ju keni mbjellë shumë, por keni korrur pak” Hagai 1:5-6

Në kapitullin e parë të Hagait, shohim një grup njerëzish të cilëve Perëndia u kishte thënë tetëmbëdhjetë vjet më parë ta rindërtonin shtëpinë e Tij. Ata ende nuk i ishin bindur Atij, megjithatë nuk e kuptonin pse jeta e tyre ishte në rrëmujë. Pyesnin veten pse Perëndia nuk po i bekonte. Atëherë Ai u tha: “A është vallë për ju koha për të banuar në shtëpitë tuaja të mbuluara mirë, ndërsa ky tempull është ende i rrënuar? … "Mendohuni mirë për sjelljen tuaj! Ju keni mbjellë shumë, por keni korrur pak; ju hani por jo aq sa të ngopeni; ju pini, por jo aq sa të shuani etjen tuaj … Ngjituni ndër male, sillni lëndën dhe ndërtoni tempullin, që të mund të gëzohem për të dhe kështu të jem i përlëvduar", thotë Zoti” (vargjet 4–8).

Kur Perëndia thotë: “Mendohuni mirë për sjelljen tuaj!”, Ai po të fton të ndalosh dhe ta shqyrtosh jetën tënde. Nëse nuk je i kënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat, a mos vallë është sepse nuk ke bërë atë që Ai të ka thënë të bësh? Jakobi shkroi: “Çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobi 1:17). Fjalët “nuk ka ndërrim as hije dyshimi” do të thonë se Perëndia është thelbësisht i mirë dhe se Ai dëshiron ta mbushë jetën tënde me mirësinë e Tij. Por për ta përjetuar këtë, duhet të ecësh në bindje. “Ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.” (Psalmi 84:11). Bindja është çelësi yt për fitore dhe bekim.