Duke shëruar marrëdhëniet e thyera
2. shkurt e hënë
“Dashuria i mbulon të gjitha fajet” Fjalët e Urta 10:12
Marrëdhëniet e dashurisë janë një gur themeli për jetën. Ato janë themeli i kishës së Krishtit dhe dëshmia që ne e kemi dashurinë e Perëndisë në zemrat tona. Perëndia vendos një theks të madh tek mënyra se si ne lidhemi me të tjerët, sepse marrëdhëniet tona ndikojnë çdo fushë të jetëve tona: në shtëpi, në punë, në kishë, në shkollë dhe gjatë çdo ndërveprimi. Një marrëdhënie e ndërtuar mbi dashurinë, ndjeshmërinë dhe respektin mund të fitojë bashkëshortin ose bashkëshorten e pashpëtuar për Krishtin. Pjetri shkroi: “Gjithashtu dhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj, që, edhe nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nga sjellja e grave të tyre, kur të shohin sjelljen tuaj të dlirë dhe me frikë” (1 Pjetrit 3:1-2).
Kjo është arsyeja pse Satani i sulmon marrëdhëniet tona kaq shumë. Kur marrëdhëniet thyhen, kjo gjë e ndikon cilësinë e jetës sonë. Shkenca mjekësore ka provuar se hidhërimi dhe mosfalja e pazgjidhur janë burimi i sëmundjes dhe depresionit. Dhe ashtu siç Perëndia do që ti të jesh i shëruar fizikisht, Ai dëshiron gjithashtu që ti të përjetosh prekjen e Tij shëruese edhe në marrëdhëniet e tua. Por ti ke një rol për të luajtur. “Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi. Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin” (Efesianëve 4:31-32).
Ndërsa lutesh për marrëdhënien tënde të trazuar, bëj këtë rrëfim: “Meqënëse Perëndia më ka falur të gjitha mëkatet e mia, unë nuk do të ruaj mosfalje kundrejt askujt. Unë e lë të shkojë gjithë hidhërimin dhe zemërimin. Zot, unë lutem për paqen tënde mbi fushën e keqkuptuar dhe të lënduar në këtë marrëdhënie. Amen”.

