Të japësh fryt frymëror
9. maj e premte

“Kështu Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet … dhe … u tha atyre: ‘Të jeni të frytshëm’” Zanafilla 1:27-28

Një pastor shkruan: “Kur Perëndia e krijoi njeriun, ai e krijoi atë “sipas shëmbëlltyrës së tij”. Ky ishte plani fillestar i Perëndisë dhe ai nuk ka ndryshuar. Ai dëshiron të na bëjë si vetja e Tij … të perëndishëm. Ai e bën këtë duke punuar me karakterin tonë përmes Fjalës së Tij, përmes Frymës së Tij dhe përmes rrethanave. Fjala greke për ‘karakter’ do të thotë ‘i vënë në provë dhe i provuar si i besueshëm’. Ajo të sjell në mendje punën e një farkëtari, duke përshkruar diçka që ka kaluar përmes zjarrit, është rrahur … por që i ka qëndruar provës”.

Vër re se një nga gjërat e para që Perëndia i tha njeriut ishte: “Të jeni të frytshëm”. Dhe Jezusi na tregon se si ta bëjmë këtë: “Kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15:5). Por fryti merr kohë të piqet. Kur ti përpiqesh që ta nxitosh procesin, ai nuk është dhe aq i mirë në shije. A ke provuar ndonjëherë domate jashtë sezonit? Ti i ble ato në dyqan. Nëse fermerët do të mblidhnin domate të pjekura dhe do t’i eksportonin me anije, ato do të kalbeshin dhe shtypeshin gjatë rrugës për në destinacion, prandaj, ata i mbledhin kur janë jeshile, i lyejnë me gaz etileni përpara se t’i cojnë në pazar dhe gazi shumë shpejt i kthen ato në të kuqe. Ato domate nuk kanë asgjë që nuk shkon, por nëse ke provuar ndonjëherë një domate të pjekur natyralisht, ti e di se shija e saj as që krahasohet me të parat.

Po kështu, duhet kohë që fryti frymëror të rritet në jetën tënde. Ti nuk mund të bësh një kurs intensiv dhe të diplomohesh si i pjekur frymërisht. Ajo kërkon një jetë të tërë ecjeje me Perëndinë, të mbështetesh tek Ai, të mësosh prej Tij dhe ta duash Atë me gjithë zemrën tënde. Perëndia dëshiron që të prodhojë frytin e Frymës në jetën tënde, prandaj bashkëpuno me Të!