Përkushtoju rritjes personale
19. janar e diel

“Kujdesu për këto gjëra dhe kushtoju atyre tërësisht” 1 Timoteut 4:15

Pali kishte një plan vazhdimësie për shërbesën e tij. Ja pse ai dishepullizoi Timoteun dhe e udhëzoi: “Kujdesu për këto gjëra dhe kushtoju atyre tërësisht, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë”. Fjalët “që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë” do të thonë se rritja matet. Pyetje: ndërsa shikon pas ndër vitet e kaluara të jetës tënde, në cilat zona je rritur?

Para se të vazhdosh të lexosh, qëndro një moment dhe mendo me kujdes si t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Në fëmijëri, trupat tanë rriten vetë. Por disa prej nesh, ndërsa rritemi, kemi një besim të nënndërgjegjshëm se rritja shpirtërore, emocionale dhe mendore ndodh sipas një modeli. Ne mendojmë se ndërsa koha kalon, ne përmirësohemi. Ne jemi si personazhi vizatimor Charlie Brown në librat komikë “Peanuts” të Charles Schulz, i cili një herë tha: “Më duket se kam zbuluar sekretin e jetës – ti thjesht rri derisa mësohesh me të”.

Problemi është se nuk përmirësohesh vetëm duke jetuar; duhet të jesh i qëllimshëm. Askush nuk përmirësohet rastësisht. Rritja personale nuk ndodh vetë. Dhe kur mbaron me edukimin tënd formal, duhet ta zotërosh procesin e rritjes sepse askush tjetër nuk do ta bëjë për ty. Manuali më i mirë për rritjen është Bibla jote. Është “e gjallë dhe vepruese” (Hebrenjve 4:12). Çdo gjë që të duhet të dish dhe çdo gjë që të kërkohet për t’u rritur mund të gjendet në faqet e saj. Prandaj, hape Biblën tënde. Thellohu në të! Lexoje! Medito mbi të! Zbatoji parimet e saj në jetën tënde dhe do të mahnitesh me sa shumë do të rritesh.