Si të mposhtësh Jerikon tënd (2)
5. qershor e premte

“Fillo përsëri të rrethpresësh bijtë e Izraelit” Jozueu 5:2

Para se të pushtonte Jerikon, Perëndia i tha Jozueut që të “rrethpriste përsëri bijtë e Izraelit”. Gjashtëqind vjet më parë, Perëndia kishte vendosur praktikën e rrethprerjes së meshkujve. Ai i tha Abrahamit se kjo do të ishte “një shenjë e besëlidhjes midis Meje dhe teje” (Zanafilla 17:11). Cili ishte mesazhi këtu? Kujto kujt i përket! Në një kuptim, të gjithë besimtarët janë rrethprerë. Pali shkroi: “Në të cilin ju edhe u rrethpretë me një rrethprerje që nuk u bë me dorë, por me rrethprerjen e Krishtit” (Kolosianëve 2:11).

Kjo do të thotë se tani ti je: fëmijë i Perëndisë (Gjoni 1:12); mik i Krishtit (Gjoni 15:15); anëtar i trupit të Krishtit (1 Korintasve 12:27); shenjtor (Efesianëve 1:1); i shpenguar dhe i falur nga të gjitha mëkatet e tua (Kolosianëve 1:14); i plotë në Krishtin, pa asnjë mungesë (Kolosianëve 2:10); i lirë nga dënimi (Romakëve 8:1–2); bashkëpunëtor i Perëndisë (2 Korintasve 6:1); i ulur me Krishtin në vendet qiellore (Efesianëve 2:6); vepër e Perëndisë (Efesianëve 2:10); qytetar i qiellit (Filipianëve 3:20); i birësuar në familjen e Perëndisë (Efesianëve 1:5); i lindur nga Perëndia dhe i ligu nuk mund të të prekë (1 Gjonit 5:18). Përsëri, Pali shkroi: “Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë” (Romakëve 6:11).

Prandaj, kur djalli afrohet, qëndro përballë tij dhe thuaji: “Çfarë po bën këtu? Unë jam i vdekur për ty!”. Mos e prano akuzën e tij dhe mos u tremb nga sulmet e tij. Kur ai të nxjerr përpara gabimet e tua të së kaluarës, thuaji kush je “në Krishtin” (2 Korintasve 5:17). Ai nuk ka asnjë përgjigje ndaj kësaj të vërtete. Ai e di kush je. Thjesht shpreson që ti të mos e dish ose që ta harrosh.