Perëndia të ka dhënë farë për ta mbjellë
10. gusht e hënë

“Mbretëria e qiejve i ngjan një kokrre sinapi…” Mateu 13:31

Jezusi tha: “Mbretëria e qiejve i ngjan një kokrre sinapi, të cilën e merr një njeri dhe e mbjell në arën e vet. Ajo, pa dyshim, është më e vogla nga të gjitha farërat; por, kur rritet, është më e madhe se të gjitha barishtet, dhe bëhet një pemë, aq sa zogjtë e qiellit vijnë dhe gjejnë strehë në degët e saj” (vargjet 31–32). Një farë mustarde ka vetëm rreth dy milimetra në diametër dhe vjen në tri lloje kryesore: të verdhë, të zezë dhe të bardhë. Brenda kësaj fare gjendet një profil ushqyes i jashtëzakonshëm, që përfshin vitaminat A, B6, B12, C, E dhe K. Ajo është gjithashtu burim i kalciumit, hekurit, magnezit, fosforit, kaliumit, natriumit dhe zinkut. Ka veti anti-inflamatore dhe kundër kancerit. Jezusi theksoi se, kur mbillet, ajo mund të rritet dhe të bëhet një nga pemët më të mëdha të kopshtit, duke i bekuar zogjtë e ajrit, sepse u siguron atyre një strehë.

Pali shkroi: “Edhe ai që i jep farën mbjellësi … ju dhëntë dhe e shumoftë farën tuaj, dhe i bëftë të rriten frytet e drejtësisë suaj” (2 Korintasve 9:10). Kujt ia jep Perëndia “farën”? Mbjellësve, jo grumbulluesve! Çfarë bën Perëndia me farën tënde kur ti e mbjell? Ai e shumon atë! Fara që mbjell mund të jetë në formën e kohës, shërbimit, urtësisë, parave, dhembshurisë etj. Dhe Perëndia premton se, kur ti mbjell, do të korrësh bekimin e Tij. “Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t'ju tepërojë për çfarëdo pune të mirë” (2 Korintasve 9:8). Perëndia të ka dhënë farë — mbille atë!