Ti duhesh dhe vlerësohesh nga Perëndia
22. dhjetor e hënë

“Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to” Efesianëve 2:10

Psikologët thonë se vlerësimi ynë për veten bazohet mbi atë që besojmë se njerëzit më të rëndësishëm në jetën tonë mendojnë për ne. Për fëmijët, me shumë mundësi janë prindërit. Për të rriturit, mund të jetë burri ose gruaja, një shef, një shok ose një mentor. Problemi është se njerëzit na zhgënjejnë. Ata mund të bëjnë gjëra të cilat na lëndojnë zemrën. Çelësi për të patur dhe mbajtur një ndjenjë të vërtetë vetëvlerësimi është duke lënë Atin tënd qiellor të jetë figura më e rëndësishme në jetën tënde. Vlerësoje veten mbi atë që Ai thotë për ty. Kur bën gabime, disa njerëz mund të të kritikojnë dhe të bëjnë që të ndjehesh në faj. Por Perëndia thotë: “Unë kam mëshirë për çdo gabim. Ngrihu dhe vazhdo! E ardhmja jote është më e ndritur se e kaluara jote” (shiko vargjet 4:10).

Bibla thotë se ti je “kryevepra e Perëndisë”. Një kryevepër nuk prodhohet në masë, as nuk krijohet në një linjë montimi. Nuk është mesatare. Është e veçantë. Është origjinale. Është e posaçme. Është e vetmja e llojit të saj. Pikërisht kështu të sheh Perëndia. Dhe po ashtu Ai do që ti ta shohësh veten. Psalmisti e tha kështu: “Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende. Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre! Po të doja t'i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty” (Psalmi 139:16-18).