Duaje Perëndinë me gjithë forcën tënde
31. tetor e enjte

‘Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë … forcën tënde!’ Marku 12:30

Çfarë do të thotë ta duash Perëndinë me gjithë forcën tënde? Një pastor e përkufizon kështu: ‘Do të thotë të shpenzosh sasi të jashtëzakonshme energjie për kauzat e Mbretërisë. Do të thotë gjak, djersë dhe lotë. Do të thotë shërbim dhe sakrificë. Do të thotë punë e vështirë sipas mënyrës së vjetër. Energjia mund të jetë dimensioni më pak i vlerësuar i dashurisë, sepse është më pak sentimental. Dhe mënyra se si e investojmë energjinë tonë zbulon përparësitë tona të vërteta’. Ajo zbulon se sa shumë e duam dikë; në këtë rast, Perëndinë.

Pastori vazhdon: ‘Krishtërimi nuk ishte menduar kurrë të ishte një emër. Krishtërimi ishte menduar gjithmonë të ishte një folje. Ne duhet t’i bindemi nxitjeve të Frymës së Shenjtë. Ne duhet t’i kapin mundësitë për të shërbyer … në fund të ditës, Perëndia nuk do të thotë: “Mirë e the, shërbëtor i mirë dhe besnik” … [por] “Mirë ke vepruar, shërbëtor i mirë dhe besnik”. Asgjë nuk është më përmbushëse se sa djegia e kalorive për një kauzë të mbretërisë. Çdo gjë më pak se shfrytëzimi i gjithë forcës sonë për qëllimet e Perëndisë është e mërzitshme në rastin më të mirë dhe hipokrite në rastin më të keq.

Ka kaq shumë të krishterë që janë të mërzitur … të irrituar për shkak të hendekut midis teologjisë dhe realitetit. Mënyra për ta mbyllur atë hendek dhe mënyra për të përjetuar atë vrull të shenjtë adrenaline, është të derdhësh djersë për t’u shërbyer të tjerëve. Ajo mund të jetë aq e thjeshtë sa edhe të bësh dadon për një nënë beqare që ka nevojë për një natë pushim, duke shërbyer në një shërbesë në kishën tënde lokale ose duke dalë vullnetar në një shtëpi për të moshuarit. Nuk ka rëndësi se sa e madhe apo se sa e vogël, çdo kalori e djegur për një kauzë të Mbretërisë fiton interes të madh për përjetësinë. Dhe do të mbushë boshllëkun në shpirtin tënd me gëzim të pastër’.