Si të kesh paqe (5)
12. qershor e mërkurë

“Ki besim tek Zoti” Fjalët e Urta 3:5, NKJV

Bibla thotë: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (vargjet 5-6, NKJV). Perëndia do që ti t’i besosh Atij. Për sa kohë që mundohesh t’i zgjidhësh gjërat vetë, nuk po i beson Perëndisë dhe nuk do të kesh paqe. Duhet t’i besosh Atij shëndetin tënd, paratë e tua, marrëdhëniet e tua dhe të ardhmen tënde. Çdo gjë! Perëndia kurrë nuk bën gabim. Çdo gjë që ndodh në jetën tënde përfshihet në planin e Tij për ty – edhe problemet, edhe mjerimet, edhe telashet që ti ja bën vetes. Ai e përshtat çdo gjë pa gabim në planin e Tij për ty (shiko Romakëve 8:28). Dhe ajo që Ai pret prej teje është që t’i besosh Atij në vend që të përpiqesh të zgjidhësh gjithçka – që ti të kuptosh se Ai është në kontroll. Kur ta bësh këtë, Ai premton që do “të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:6, NIV).

Kur ne synojmë të drejtojmë jetët tona, ne ndjekim shtigje të diktuara me pavendosmëri: “A duhet të bëj këtë apo atë? A duhet të shkoj këtu apo aty?”. Dhe kjo prodhon stres! Por sapo t’i besosh Zotit, Ai do të drejtojë shtigjet e tua dhe do t’i bëjë të suksesshme, jo stresuese. “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:6-7, NIV).

Vër re rradhën – lutja në fillim, pastaj paqja. Kështu që nëse nuk po lutesh, me shumë mundësi po shqetësohesh. Dhe shqetësimi është një emocion pa vlerë – një humbje! Kështu që kur trysnia fillon të shtohet, në vend që të trembesh, fillo të lutesh! Lutja është një çlirues i mahnitshëm nga stresi.