Rëndësia e Fjalës së Perëndisë
15. mars e shtunë
“Dhe këndoi në prani të tyre të gjitha fjalët e librit të besëlidhjes” 2 Kronikave 34:30
Kur Josia u bë mbret në Jerusalem, ai dërgoi punëtorë të riparonin tempullin. Atje ata gjetën një kopje të ligjit të Perëndisë në rrënoja. Askush nuk e kishte parë prej vitesh! Josia menjëherë vendosi se idhujtaria e Judës lidhej drejtpërdrejtë me mungesën e leximit të Fjalës së Perëndisë. Kështu që, ai mblodhi gjithë popullin e Judesë, i lexoi vetë atyre nga ligji i Perëndisë dhe i drejtoi në një ripërkushtim për të jetuar sipas parimeve të Fjalës së Perëndisë.
Mos e humb lidhjen këtu! Fakti që populli i Zotit nuk lexoi Fjalën e Perëndisë dhe nuk jetoi sipas saj e çoi atë në idhujtari. Në Bibël zbulohen përparësitë e Perëndisë për jetën tënde. Kur nuk e lexon, studion dhe mediton mbi urdhërimet e saj, përfundon duke u përqëndruar në interesart e tua dhe i lë pas dore përparësitë e Perëndisë. Dhe çdo gjë që vë përpara Perëndisë është një “idhull”. Ndonjëherë një idhull është një praktikë mëkatare të cilën ti e di se është e gabuar. Por një idhull mund të jetë edhe diçka konkrete si një punë, ose një marrëdhënie, ose një interes i veçantë, i cili të merr kaq shumë nga koha dhe energjia jote sa marrëdhënia jote me Perëndinë pritet ose braktiset përfundimisht.
Autori i himneve William Cowper shkroi: “Idhullin më të dashur që kam njohur, cilido të jetë ai idhull, më ndihmo ta hedh nga froni yt dhe të të adhuroj vetëm ty”. Nëse je serioz dhe do ta njohësh Perëndinë më mirë, të afrohesh më shumë me Të dhe ta vësh Atë të parin në jetën tënde, merr vendimin për të kaluar çdo ditë me Fjalën e Tij.